O profet, le të mos brengosë ty puna e atyre që shpejtojnë për në mosbesim, të cilët me gojë të vetë thonë: “Besojmë!” por zemrat e tyre nuk besojnë. Ka nga ata ebrej të cilët më shumë dëgjojnë trillimet dhe me ëndje i pranojnë fjalët e huaja, e te Ti nuk vijnë. Ata ua ndërrojnë fjalëve kuptimin edhe pse kanë qenë me vend, thonë: “Nëse kështu ju caktohet, atëherë pranoni këtë, e nëse nuk ju caktohet atëherë ruajuni!” Dhe atë që All-llahu do ta lerë në humbje, ti nuk mund t’i bësh kurrgjë te All-llahu. Ata janë njerëz, zemrat e të cilëve All-llahu nuk ka dashur t’i pastrojë; ata në këtë botë kanë poshtërsimin, kurse në atë botë kanë një dënim të madh.